Rreth Paketës

Ligji për Paketën e Maleve synon të krijojë kushte të favorshme për tërheqjen e investimeve dhe të nxisë zhvillimin ekonomik e turistik në zonat malore.

Zonat malore kanë vështirësi në dhënien e lejeve të zhvillimit apo ndërtimit për shkak të moskonsolidimit të marrëdhënieve juridike të pronësisë. Kjo është një ndër pengesat më serioze për zhvillimin ekonomik të këtyre zonave. Shumë toka në malësi administrohen ose zotërohen nga individë dhe familje, posedues jopronarë, që nuk kanë tituj formalë pronësie. Për pasojë, ato nuk mund të përdoren për investime, nuk mund të planifikohen nga bashkitë apo të regjistrohen si pasuri bashkiake për qëllime zhvillimi.

Çështja nuk është vetëm teknike, por edhe juridike dhe historike: shumë zona kanë mbetur jashtë regjistrimit të saktë kadastral, dhe burokracitë e pronësisë e bëjnë pothuajse të pamundur zhvillimin me procedura standard. Si rrjedhojë, bashkitë e zonave malore nuk kanë mundësi reale për të dhënë leje ndërtimi apo zhvillimi, edhe kur ka interes nga komuniteti apo investitorët. Ato nuk mund të operojnë si agjentë zhvillimi të territorit të tyre.

Këto barriera kanë sjellë interes të ulët për investime, si dhe disbalancë të thelluar midis zhvillimit në zonat bregdetare dhe atyre malore. Mungesa e pronësisë së qartë ndalon zhvillimin e turizmit malor, agrobiznesit dhe investimeve të qëndrueshme në energji, blegtori apo pylltari. Kjo ka çuar në:

  • Mungesë të vendeve të punës në malësi
  • Shpopullim të vazhdueshëm të fshatrave malorë
  • Përqendrim disproporcional të zhvillimit në zonat bregdetare, ku infrastruktura dhe prona janë më të formalizuara
  • Zbehje e rolit të bashkive malore si motorë zhvillimi

Paketa synon forcimin e kohezionit social, rimëkëmbjen ekonomike të zonave malore, rritjen e të ardhurave bashkiake, nxitjen e investimeve dhe frenimin e emigracionit. Përmes një procesi të thjeshtuar administrativ, ligji i ri:

  • Lejon që poseduesit jopronarë të regjistrohen ligjërisht pas një verifikimi të thjeshtuar nga bashkia
  • Lejon dhënien e pronësisë me çmim simbolik (1 euro) për ata që kanë plan zhvillimi dhe e marrin lejen përkatëse
  • Parashikon përjashtim nga disa taksa për 10 vjet (TVSH, tatimi mbi të ardhurat, taksa infrastrukture) për 500 aplikuesit e parë
  • Synon që toka e mbetur e pashfrytëzuar të kthehet në një burim aktiv të zhvillimit lokal